Vuçiq për hapjen e Urës së Ibrit: Nuk ka vullnet për dialog, pres provokime dhe probleme shtesë
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është deklaruar rreth hapjes së Urës së Ibrit duke thënë se janë në kontakt të përditshëm me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe se presin që ta mbajnë fjalën që pa marrëveshje nuk do të ketë hapje të urës.

Vuçiq poashtu ka thënë se nuk ka vullnet të përbashkët politik mes dy vendeve për këtë çështje duke shtuar se me caktimin e datës së zgjedhjeve në Kosovë çdo gjë është fushatë dhe se presin provokime.

“Jemi në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe KFOR-it, me të cilët kemi bashkëpunim shumë korrekt dhe presim që ta mbajnë fjalën e dhënë, që është që pa marrëveshje apo pa vullnet të përbashkët, nuk do të ketë hapje të urës. Vullnet të përbashkët nuk ka sepse dialog me ta nuk kemi, por e patë që kanë shpallur zgjedhje për 9 shkurt, për ta çdo gjë është fushatë, ndaj pres provokime dhe probleme shtesë, por besoj dhe besoj se KFOR-i do t’i përmbushë premtimet dhe detyrën e tij parësore në përputhje me rezolutën 1244”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Medvegjica ku është festuar dita e bukës së misrit dhe djathit.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë reaguar ndaj kësaj çështje duke kërkuar që hapja e urës të diskutohet në dialog.

Së fundi emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se çështja e Urës së Ibrit duhet të diskutohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ndërsa tha se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit janë çorientuese.

https://kosovapress.com/lajcak-pretendimet-se-be-ja-eshte-kunder-hapjes-se-ures-se-ibrit-jane-corientuese

Derisa të mërkurën zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por sipas tij është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016.

https://kosovapress.com/bislimi-hapja-e-ures-se-ibrit-eshte-kerkese-e-marreveshjes-kosove-serbi-e-ndermjetesuar-nga-be-ja

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024