Presidenti serb Aleksandar Vuçiq kërkoi sot nga qeveria e tij të themelojë një grup punues që do të bëjë gjithë çfarë është e mundur për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe të angazhohet për të penguar miratimin e një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë. Ai tha se do të diskutojë me udhëheqës botërorë për këto çështje përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, më të cilin pritet të takohet të hënën, për të biseduar mes tjerash forcimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes. Vuçiq, thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë serbe për të diskutuar siç tha, “sfidat e rënda” që ndodhen para Serbisë, ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës më 15 prill, dhe më pas çështja kalon në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi.
Javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i dha dritën jeshile kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Serbia votoi kundër, ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët janë zotuar se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese. Ndonëse theksoi se “shanset e Serbisë” janë të pakta, ai kërkoi që të luftohet për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës dhe që argumenti kryesor të jetë “mos themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Presidenti serb tha se do të shkojë në Nju Jork, ku më 22 prill mbahet mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe për të vazhduar me përpjekjet për të siguruar mbështetje kundër miratimit të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë.