S’ka bisedime trilaterale sot në Bruksel, Vuçiq: Nuk jam takuar me Kurtin
Lexohet për: 3 min.
vuciqq-260624
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha për mediat në Bruksel se gjatë rundit të dialogut të nivelit të lartë, ai nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se një takim i tillë ishte paralajmëruar nga Bashkimi Evropian.

“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiq gjatë një deklarimi për mediat.

Vuçiq tha se është kthyer tri herë në takimin me Borrellin dhe Lajçakun, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur. Ai e vlerësoi korrekt takimin me ndërmjetësit evropianë.

“Ai nuk ka dashur të më takoj", tha Vuçiq kur u pyet nga gazetaret se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiqin”.

“Jam i sigurt se BE-ja në njoftimin e saj do të thotë se kush nuk donte bisedime sot”.

Vuçiq tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

Ai shtoi se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme, "të martën ose të mërkurën".

Paraprakisht, Vuçiq përmes një postimi në Instagram deklaroi se në takim ka insistuar edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në Bruksel sot janë mbajtur dy runde të takimeve dypalëshe mes përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Vuçiq.

Pavarësisht se BE-ja kishte paralajmëruar se pas takimeve dypalëshe do të mbahej edhe një takim trepalësh, ai nuk ndodhi, shkruan REL.

Para takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024