Vuçiq nuk e përmend fjalën gjenocid: Rezoluta për Srebrenicën hap plagë të vjetra
Lexohet për: 4 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara të votojnë kundër rezolutës për vendosjen e 11 korrikut Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, duke thënë se projekt-rezoluta “do të hapë plagët e vjetra dhe ndarje të reja në rajon dhe OKB”.

“Unë shkova i vetëm në Srebrenicë për të ulur kokën para viktimave boshnjake dhe u shtriva poshtë dhe pothuajse u linçova dhe përsëri nesër ua zgjata dorën atyre që e organizuan,” tha Vuçiq para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Vuçiq shtoi se është e vështirë të flasësh pas Gjermanisë. Ai pyeti nëse kjo rezolutë sjell pajtim dhe e pyeti përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë se pse e “fshehën” përgatitjen për këtë rezolutë. Sipas tij, “është ushtruar presion mbi shumë vende anëtare ditë para seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”.

“Kërkoj përgjigje nga të fuqishmit pse ishte e nevojshme që ju të bënit kaq shumë presion mbi vendet anëtare të OKB-së, pse kërcënuat vendet që nuk donin ta votonin rezolutën, kam dhjetëra shembuj të tillë. Është një vend i vogël nga Ballkani që do të votojë kundër kësaj rezolute, sepse do të hapë kutinë e Pandorës dhe do t'ju duhet t'i përgjigjeni dhjetëra akuzave për gjenocid. Nuk bëhet fjalë për pajtim, nuk është për kujtime, por për diçka që do të hapë plagë të reja, jo vetëm në rajonin tonë por edhe në këtë sallë”, tha Vuçiq.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm i serbëve, Radovan Karaxhiq lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

Më 10 korrik 1995, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes. Të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës.

Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës gjenerali Ratko Mlladiq hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët nëpër autobusë, për kinse se ata do të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.

OKB-ja vuri re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Pas më shumë se dy dekada të masakrës, ende vazhdojnë të gjenden varre masive pasi identifikimi i viktimave është i vështirë për shkak se trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre. Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçarit.

Miratohet rezoluta për Srebrenicën, ja kush votoi pro e kush kundër • KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024