Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot rezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnjës me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.
Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë u prezantua sot në seancën e Asamblesë së Përgjithshme me temën "Kultura e paqes".
Anëtarët e Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës tash e disa ditë janë në Nju Jork, ku po zhvillojnë një sërë bisedimesh me përfaqësuesit e vendeve lidhur me rezolutën për Srebrenicën, së bashku me ambasadorin e BeH në OKB, Zlatko Lagumxhia.
Ministri i Punëve të Jashtme të BiH Elmedin Konakoviq tha se miratimi i rezolutës është një pjesë e drejtësisë për viktimat e gjenocidit.
Konakoviq komentoi sot fjalimin e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq kundër miratimit të rezolutës. Ai ka dënuar shmangien e termit “gjenocid” në fjalimin e Vuçiq dhe duke thënë se “ky lloj politizimi thekson domosdoshmërinë e miratimit të një rezolute”.
"Ne kemi qenë dëshmitarë se si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohon verdiktet e gjykatave ndërkombëtare, duke mos përdorur asnjëherë fjalën "gjenocid" dhe duke refuzuar të pranojë se rezoluta është miratuar në emër të viktimave. Ky lloj politizimi thekson domosdoshmëria e miratimit të rezolutës”, tha Konakoviq.
Të gjitha shtetet nxiten të respektojnë plotësisht detyrimet e tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, të drejtën zakonore ndërkombëtare për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke respektuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Projekt-rezoluta i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të krijojë një program informacioni të titulluar "Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara" për të filluar përgatitjet për 30-vjetorin e përkujtimit në 2025 dhe më tej i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm t'u dërgojë një rezolutë të gjithë anëtarëve shteteve, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, thuhet në projekt-rezolutën.
Për miratimin e projekt-rezolutës kërkohej një shumicë e thjeshtë e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.
Pro miratimit të projekt-rezolutës, ndër tjera, votuan Shqipëria, Australia, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia. Kundër, ndër të tjera, votuan Serbia, Siria, Kina, Rusia, Bjellorusia, Hungaria, Dominika, Kuba.