Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka kërkuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova që të ruajnë paqen dhe stabilitetin.
Vuçiq u takua me përfaqësuesit serbë mëngjesin e 22 nëntorit, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shtyu zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat ilegale serbe për 48 orë, shkruan REL.
Kërkesën për shtyrje 48-orëshe e kanë bërë Shtetet e Bashkuara.
Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës pati planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit.
Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.
Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.