Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se sulmi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit do të ketë, siç u shpreh ai, “pasoja të gjera në skenën politike botërore” dhe se, në përputhje me këtë, Serbia duhet ta ruajë lirinë dhe pavarësinë e saj, por njëkohësisht t'i forcojë kapacitetet mbrojtëse.
Reagimi i tij vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur sulme në disa qytete të Iranit. Deri më tani nuk ka raportime për viktima.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se Irani ka nisur të kundërpërgjigjet me raketa në drejtim të shtetit të Izraelit dhe disa vendeve tjera në Lindje të Mesme.
Duke folur për televizionin Informer, një media proqeveritare, Vuçiq tha se “beteja kryesore do të zhvillohet për ndryshimin e Qeverisë në Iran”, duke e krahasuar situatën me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi më 1999 dhe me rrëzimin e regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili nisi luftërat në ish-Jugosllavi dhe e çoi vendin drejt izolimit ndërkombëtar.Përgjatë fjalës së tij, presidenti serb përmendi edhe blerjen e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore.
“Do ta ruaj paqen, por kjo varet edhe nga sa i fortë je. Ne do të sigurojmë sisteme jashtëzakonisht të fuqishme. Po e shqyrtojmë seriozisht këtë, kemi mbrojtje shumë-shtresore”, tha Vuçiq.