Vuçiq del me masa të Serbisë për Kosovën
Lexohet për: 5 min.
fwwq
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.

Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiq ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

"Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut".

Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.

Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para adresimit të Vuçiqit, Parlamenti serb do të miratojë një vendim për “paligjshmërinë” e të gjitha institucioneve të themeluara në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.

Vuçiq ka thënë të premten se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për, siç ka thënë ai, “problemin e Kosovës”.

“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t'u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiq në një fjalim drejtuar popullit, të paralajmëruar ditë më parë.

Shtatë kërkesat e Serbisë

Sipas dokumentit, Serbia kërkon:

-shpalljen dhe mbajtjen e "zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike" në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.

-kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.

tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga "bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme" në veriun e Kosovës.

-tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet "të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët".

-formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

-zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë" të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe

-kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.

Përveç këtyre kërkesave, në dokument përmendet se Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditëve për të "shpallur krahinën autonome të Kosovës si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët".

“Ne do të rrisim ndihmën dhe mbështetjen tonë për popullsinë në mënyrë dramatike. Tani, do të ndajmë menjëherë për një grup prej 5.000 personash të papunë një mbështetje mujore prej 20 mijë dinarësh (170 eurosh).”

Mes tjerash, në dokument përmendet që "institucionet serbe" në Kosovë "nuk do të shfuqizohen apo mbyllen" dhe akuzohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se "qëllimi i tij kryesor politik është të largojë dhe të eliminojë plotësisht serbët" në Kosovë.

Aty, gjithashtu, është paralajmëruar që në Rudnicë dhe Ribar pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.

Adresimi i Vuçiqit vjen pas akuzave që ua ka bërë në vazhdimësi autoriteteve të Kosovës për “sulme ndaj serbëve” në veri të vendit, duke marrë shkas vendimet e fundit në atë pjesë.

Qeveria e Kosovës vlerëson se me veprimet e veta vetëm po synon të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e shtetit.

Autoritetet kosovare kanë mbyllur së fundmi disa institucioneve paralele serbe në veri, duke thënë se kanë cenuar kushtetutshmërinë e Kosovës, më pas disa degë të Bankës së Serbisë, me arsyetimin se kanë vepruar pa leje, dhe ka ndaluar dinarin serb për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Beogradi i sheh këto veprime si “akte kriminale” që synojnë “dëbimin e serbëve”.

Faktori ndërkombëtar e ka kritikuar Kosovën për ato që i ka konsideruar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të vendit.

Pak para adresimit të Vuçiqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia, në vend që të pendohet për krimet që ka kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo ka vendosur të përsërisë kërcënime dhe ultimatume ndaj Kosovës, në koordinim me Rusinë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovë është “tejet dëshpëruese”, por që Kosova nuk trembet nga kërcënimet.

"Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur. Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi. /REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024