Vrasja në Gjakovë, 1 muaj paraburgim ndaj të dyshuarit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Vrasja në Gjakovë, 1 muaj paraburgim ndaj të dyshuarit
Gjakove
18/03/2026 - 11:41
Linku u kopjua

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit me inicialet N.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria ka dhënë edhe detaje lidhur me vrasjen që ndodhi më 16 mars 2026, rreth orës 05:20, në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë.

Aty thuhet se vrasja që ndodhi në një lokal, dyshohet se ndodhi pas një mosmarrëveshjeje, ku i pandehuri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës me inicialet R.B., i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në afërsi të vendit të ngjarjes.

“Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit N. Z., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.  Sipas kërkesës së Prokurorisë,  ndër të tjera ceket se me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në Gjakovë, në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, saktësisht në lokalin “M. P.” i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R. B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E. M., dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ka qenë me të dëmtuarin E. M., dhe persona të tjerë, në vendin e ngjarjes respektivisht në lokalin e lartcekur shkon tani i ndjeri dhe pas një mosmarrëveshje i pandehuri me armën e tij pistoletë e llojit TT, ka shtënë disa herë në drejtim tani të ndjerit R. B., e që si pasojë e të shtënave në pjesë të ndryshme të trupit të tij, i njëjti ndërron jetë në afërsi të vendit të ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet po ashtu se, nga të shtënat është rrezikuar jeta e personave të tjerë të pranishëm në lokal, ndërsa i dëmtuari me inicialet E.M. ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal në Gjakovë.

“Gjithashtu si pasojë e të shtënave me armë i pandehuri rrezikon jetën e personave të tjerë, ku i dëmtuari E. M., pëson lëndime trupore dhe dërgohet në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes. Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena,  mbrëmë, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. Me këtë vendim, i pandehurit N. Z., do të mbahet n paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 16 mars 2026 deri më 16 prill 2026", thuhet mes tjerash në njoftim.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026