Vizat, Donjeta Sadiku rrezikon pjesëmarrjen në Botërorin e boksit
Lexohet për: 4 min.
sadiku
1 vit më parë
Linku u kopjua

Nga 14 deri më 26 mars në Nju Dehli të Indisë do të mbahet Kampionati Botëror i Boksit për kategorinë seniore. Kosova në këtë kampionat synon të marrë pjesë me boksieren, Donjeta Sadiku, por kjo ende nuk është konfirmuar për shkak se India po heziton të lëshojë viza për Sadikun dhe ekipin e saj.

Të shqetësuar me situatën e krijuar dhe me mundësinë e humbjes së mundësisë për të marrë pjesë në këtë kampionat janë shprehur drejtuesit e Federatës së Boksit, si dhe ata të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli ka thënë për KosovaPress, se kjo nuk është hera e parë që India pengon Kosovën të marrë pjesë në gara ndërkombëtare sepse një gjë të tillë e kishte bërë edhe në vitin 2018, por se shpreson që Kosova të mos e pësojë edhe kësaj radhe.

“Ne kemi aplikuar në dhjetor të vitit të kaluar për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror në Indi me të gjithë dokumentacionin e duhur për viza dhe ky është muaji i tretë. Ne kemi të njëjta fjalë, ne çdo ditë i dërgojmë e-male Federatës së Indisë, Federatës Botërore IBA, të njëjtën përgjigje na e kthejnë dhe përgjigjja e fundit është dje ku na thuhet se jemi në diskutime ende... Neve Ministria e Punëve të Jashtë (e Indisë) edhe viteve të mëparshme na i ka ndalur vizat për Kosovën për arsye se nuk e njohin si shtet”, tha Demolli.

Zëdhënësi për media i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Kushtrim Krasniqi nga ana tjetër thotë se janë në komunikim intensiv me Komitetin Olimpik të Indisë, duke kërkuar që Donjeta Sadikut t’i mundësohet pjesëmarrja në Botëror me simbolet e shtetit të Kosovës.

“Problemi tashmë dihet, India nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe kjo është një çështje prej vitesh që ndikon në pjesëmarrjen e sportistëve tonë në shtetin e Indisë. India, përveç që nuk e lejon pjesëmarrjen, ajo e ka zgjedhur një mënyrë tjetër që mos t’iu jep viza sportistëve tonë, konkretisht në këtë rast të Donjeta Sadikut, e cila po përballet për herë të dytë me problemin e njëjtë... Si Komitet Olimpik i Kosovës jemi në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Boksit të Kosovës por edhe me Komitetin Olimpik të Indisë nga të cilët kemi kërkuar ndihmë në këtë drejtim në mënyrë që t’i lehtësohet marrja e vizës Donjetës dhe ajo të paraqitet me simbolet shtetërore dhe me të gjitha të drejtat e barabarta në Kampionatin Botëror.”, tha Krasniqi.

Krasniqi shton se Sadiku është njëra ndër boksieret favorite për ta fituar edhe medaljen e artë në këtë kampionat, andaj fakti që potencialisht në këtë shtet do të duhej të ngrihej flamuri i Kosovës, mund të paraqesë një pengesë për shtetin organizator.

Përtej vizave, një problem tjetër me të cilin po ballafaqohet Donjeta Sadiku dhe Federata e Boksit, është edhe aspekti financiar. Demolli zbulon se ata detyrohen që të marrin para borxh për të marrë pjesë në gara, e pastaj Ministria e Sportit ua kthen ato.

Por, për këtë situatë Krasniqi thotë se KOK-u do të ofrojë zgjidhje.

Kurse, trajnerja e Sadikut, Marjola Sallauka, thotë për KosovaPress, se që nga fillimi e kanë pritur se India mund të vendosë pengesa për pjesëmarrjen e Donjetës në këtë kampionat. Ajo shton se boksierja kosovare është në formë të jashtëzakonshme dhe se do të udhëtonte atje për të siguruar medalje elitare.

Ndryshe, Donjeta Sadiku vitin e kaluar fitoi medalje të bronztë botërore dhe evropiane, duke i kthyer në Kosovë medaljet e këtij niveli pas më shumë se 30 viteve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025