Vitin e kaluar ka pasur rënie të nënshkrimit të kontratave publike
Lexohet për: 5 min.
komisioni-per-bugjet
2 vite më parë
Linku u kopjua

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar të mërkurën raportet vjetore të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik për vitin 2021.

Aty u bë e ditur se gjatë vitin 2021 në Kosovë janë nënshkruar 9892 kontrata publike në vlerë 429 milionë euro.

Në krahasim me vitin e kaluar u tha se janë nënshkruar rreth 500 kontrata më pak, që në vlerë financiare i bie një zvogëlim prej 69 milionë eurosh.

Në anën tjetër, nga bordi i OShP-së u renditën disa sfida, mes tyre edhe grumbullimi i rreth 800 lëndëve për të cilat nuk ka pasur vendimmarrje gjatë kohës sa ka qenë bordi pa kuorum. Megjithatë, u theksua se disa kontrata janë nënshkruar nga institucionet, pavarësisht ankesave në OShP.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, para anëtarëve të komisionit për buxhet tha se në vitin 2021 ka pasur rënie të kontratave publike.

“Gjatë vitit 2021 në tërë Kosovën janë nënshkruar 9 892 kontrata. Në vitin 2020 janë nënshkruar 10 395 kontrata, ndërsa në 2019 janë nënshkruar 1461 kontrata publike. Pra, vitin e kaluar janë nënshkruar mbi 500 kontrata më pak në krahasim me vitin 2020. Ndërkohë, nëse e kthejmë në vlerë në vitin 2019 janë nënshkruar 781 milionë euro, në vitin 2020, 499 milionë euro, ndërsa në vitin 2021, 429 milionë euro. Pra kemi një zvogëlim prej 69 milionë euro në krahasim me vitin 2020”, tha ai.

Në anën tjetër, kryesuesja e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Vjosa Gradinaj-Menxhuani, tha se fluksi i lëndëve të pazgjidhura po vazhdon edhe tani, si pasojë e grumbullimit të madh të ankesave.

“Nga 1 prilli i vitit 2021 deri në fund të qershorit 2022 Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk ka pasur bord. Si rrjedhojë bordi është përballur me një numër të konsiderueshëm të ankesave të lëndëve të grumbulluar, i cili fluks vazhdon të jetë edhe tani. Në këtë rast më lejoni t’iu vë në dijeni se numri i lëndëve të pazgjidhura kishte arritur shifrën 626 lëndëve për vitin 2021 dhe 192 lëndë për vitin 2022 për mungesë të vendimmarrjes. Ky bord është i vetëdijshëm për besimin e dhënë nga ky parlament, prandaj është duke përpjekur t’i zbatojë detyrat e tij”, theksoi ajo.

Mirëpo, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, pyeti bordin e OShP-së, se a janë nënshkruara kontrata nga institucionet përkatëse, pavarësisht nëse ka pasur ankesa në OShP.

“Po shihet se ka grumbullim të ankesave dhe kjo ka ndikuar në sistemin e prokurimit publik, por që i ka atakuar edhe të drejtën e operatorëve ekonomikë për t’u shqyrtuar. Me siguri ka pasur impakt negativ në punët publike, por mua po më intereson prej këtyre lëndëve sa i potencuat, a keni informacione, që sipas ligjit nëse brenda 30 ditëve nuk kanë përgjigje, institucionet, zyrat e prokurimit publik mund të nënshkruajnë kontrata. Nëse kanë ndodhur kjo sa kontrata mund të jenë të nënshkruara, pavarësisht nëse ka pasur ankesa”, pyeti Lekaj.

Këtë e konfirmoi edhe kryesuesja e bordit të OShP-së, Gradinaj-Mexhuani, por tha se në rastet e tilla bordi ka marrë parasysh interesin e përgjithshëm, pasi kontratat kanë qenë në ekzekutim e sipër, por ia kanë mundësuar palëve të përdorin të drejtën e ankesës në gjykatë.

“Të gjitha lëndët që kanë qenë të grumbulluara dhe janë të konsideruar të jashtëligjshëm sipas Ligjit për prokurimin publik t’i konsiderojmë se janë jashtë afatit ligjor, mirëpo të njëjtëve iu kemi lejuar të gëzojnë të drejtën e tyre të ankimimit në gjykatë... Ka kontrata që janë nënshkruar dhe tani që kemi pa lëndët në shqyrtim, kemi pa disa raste që janë nënshkruar kontratat, por ne si bord kemi pa të arsyeshme që është në interesin e përgjithshëm  që mos të shkaktojmë më tepër dëme. Por palës i kemi thënë se kontrata ka mbetur në fuqi, pasi shumica e tyre kanë qenë në ekzekutim e sipër të punimeve dhe kemi marrë në konsideratë interesin e përgjithshëm dhe palët i kemi drejtuar në gjykatë”, nënvizoi ajo.

Ndërkohë, kryetari i komisionit, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, kritikoi bordin e OShP-së për raportin, për çka tha se i njëjti është ndër më të varfëritë që ka marrë në këtë komision.

“Ky raport është ndër më të varfëritë që kam marrë në këtë komision. Ju raportoni për kompetencat ligjore, ‘copy-paste’ nga viti 2020. Aty këtu ku ka pasur mundësi tek ankesat keni përditësuar ndonjë të dhënë. Si konkluzion kjo nuk është profesionale”, tha Muja.

Paraprakisht, në fillim të mbledhjes së komisionit, deputeti Muja pati një polemikë me deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, lidhur me rendin e ditës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024