Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesen nga buxheti i shtetit.
Vitia në seancën e sotme të Kuvendit, tha se janë duke diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje që zyrtarët policorë të kenë kontrolle sistematike në të gjitha institucionet shëndetësore.
Derisa paralajmëroi se marrëveshje të tilla do të bëhen edhe me FSK-në dhe zjarrfikësit.
“Për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesemi ne nga buxheti i shtetit. Prej kohësh, jo vetëm në këtë rast bashkë me ministrin Sveçla kemi filluar bisedimet sesi ta bëjmë këtë më së miri. Para disa javësh janë takuar drejtori i ShSKUK-së dhe drejtori i Policisë ku janë formuar grupet punuese dhe është duke u bërë një marrëveshje që të gjitha kontrollet sistematike të kryhen brenda institucioneve shëndetësore... Në këtë marrëveshje do të bëhen edhe prioritetizimi në lista të pritjes apo intervenime të tjera të të gjithë zyrtarëve policorë. Po ashtu edhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për të gjitha sëmundjet që nuk trajtohen në institucionet publike do të marrë përgjegjësinë që me prioritet të vendos Policinë si përfitues të parë në bazë të kësaj marrëveshjeje. Menjëherë pas kësaj do të vazhdojmë marrëveshjen njësojë me FSK-në dhe zjarrfikësit dhe të gjithë ata që ruajnë rendin dhe sigurinë në vendin tonë”, theksoi ai.