Në Klinikën e Ortopedisë për protezën e gjurit dhe kërdhokut, pacientët po presin rreth dy vjet. Listë e gjatë e pritjeve po vazhdon edhe në Klinikën e Kardiologjisë, për çka ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se është planifikuar që të punohet në dy ndërrime të orarit. Gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi, ai deklaroi se niveli i furnizimit me barna nga lista e barnave esenciale, arrin diku afër 90 për qind. Vitia shtoi se janë në fazën finale të studimit të fizibilitetit për Sistemin Informativ Shëndetësor.
Teksa foli për trajtimin shëndetësor jashtë vendit, Vitia tha se gjatë javës do të kalojë në konsultime paraprake plotësim-ndryshimi i udhëzimit administrativ.
Vitia shtoi se në Klinikën e Radiologjisë për rezonancë magnetike, lista e pritjes është ofruar në pesë muaj. Megjithatë, ai theksoi se për rastet urgjente këto kryhen brenda ditës.
Ministri i Shëndetësisë u shpreh se në fokus kanë edhe decentralizimin e shërbimeve.
I pari i Shëndetësisë teksa ka folur për listën e barnave esenciale tha se buxheti prej 60 milionë euro jep mundësinë për mbulueshmëri të terapisë së pacientëve.
Vitia ka thënë se aktualisht janë të interesuar në zbatimin e planit kombëtar për zhvillim 2023-2026.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se në kuadër të programit legjislativ, në këtë vit është paraparë hartimi dhe finalizimin e tetë projektligjeve. Sipas tij, në proces janë 23 akte nënligjore, ku shtoi se janë realizuar dy akte ligjore.