Rreth tri orë ka zgjatur Komisioni për të Drejtat e Njeriut, ku kanë marrë pjesë anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale. Ky komision u mbajt me dyer të mbyllura, ku më pas u tha se të mbijetuarat nuk po përfitojnë nga beneficionet e parapara me ligj.
E ligji i miratuar në parlament, i cili mundëson vazhdimin edhe për dy vjet të tjera të afatit për aplikim, nuk është dekretuar ende nga presidentja.
Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Leonora Selmani tha se ende nuk janë rihapur dyert për aplikim, meqë presidentja nuk e ka dekretuar ende ligjin.
Deri në kohën kur ka pasur afat për aplikim, janë deponuar mbi 1900 histori të grave e burrave nga Kosova.
Më tej, theksoi se janë dakorduar që të takohen me Komisionin për të Drejtat e Njeriut çdo gjashtë muaj.
Ajo shtoi se kanë rreth 700 raste që po i trajtojnë brenda organizatës, ku prej tyre tashmë kanë deponuar rastet e tyre mbi 500 gra e burra.
Ajo tha se gabimi më i madh i qeverisë është afatizimi për njohjen e statusit.
Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj.
Ndërkaq, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018. /Sh.Pajaziti