Vetëvendosje e dërgon në Supreme vendimin e PZAP-së për Listën Serbe
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Vetëvendosje e dërgon në Supreme vendimin e PZAP-së për Listën Serbe
GjykataSupreme
26/08/2025 - 15:05
Linku u kopjua

Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka dorëzuar sot në Gjykatën Supreme vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i cili obligoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të KQZ-së kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe. Bazuar në nenin 63 par 1, 3, 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, anëtarët e KQZ-së kanë të drejtën ekskluzive ligjore të votojnë për çështje që lidhen me procesin zgjedhor. Tutje, në rastin konkret, neni 17 i LZP-së përcakton shqyrtimin e aplikimeve për certifikim. Konkretisht paragrafi 4 i këtij neni jep të drejtë anëtarëve të KQZ-së që të miratojnë apo të refuzojnë certifikimin e një subjekti politik. Anëtarët e KQZ-së kanë zbatuar nenet përkatëse të cilat i japin diskrecion të plotë lidhur me votimin për apo kundër një certifikimi të një subjekti politik”, thuhet në ankesën e VV-së dërguar në Supreme.

Sipas arsyetimit të PZAP-së, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.

Me këtë vendim, PZAP-ja e ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, në të cilin KQZ-ja e kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për shkak të vlerësimit se disa kandidatë nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.

Zgjedhjet për kryetar komunash mbahen më 12 tetor.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026