Vetëvendosje bojkoton raportimin e drejtorit të AKI-së
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu ka ftuar në raportim urgjent kreun e këtij institucioni, por këtë mbledhje e ka bojkotuar Lëvizja Vetëvendosje.

Musliu ka thënë se kjo mbledhje u ftua pas raportimeve për kërcënimet ndaj ish-senatorit zviceran Dick Marty, për t’u njoftuar rreth njohurive që mund të ketë Agjencia Kosovare për Inteligjencë.

Ajo në konferencë për media tha se për këtë janë njoftuar të gjithë anëtarët e komisionit.

“Si kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së në bazë të kompetencave që më lejon rregullorja e Kuvendit të Kosovës, kam thirrur në njoftim urgjent drejtorin e AKI-së për të na njoftuar rreth njohurive që mund t’i ketë ky institucion në lidhje me rastin. Fatkeqësisht, edhe pse ishin të njoftuar të gjithë anëtarët e komisionit, kjo mbledhje u bojkotua nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Fatkeqësisht edhe në rrethana të tilla, LVV nuk gjen kurajën për të bashkëpunuar në çështje ose kur janë në pyetje çështjet nacionale për vendin”, ka thënë ajo.

Megjithatë, Musliu ka thënë se është njoftuar nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti nëse kanë qenë më herët në dijeni për kërcënimet ndaj Dick Marty-t.

“Edhe në bojkotin e LVV-së, unë e shfrytëzova rastin si kryetare e komisionit të informohem nga drejtori i AKI-së, se a ka qenë në dijeni më herët për kërcënimet për Dick Marty-n dhe cilat janë veprimet që AKI-ja ka ndërmarrë në lidhje me rastin pas raportimeve. Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me Bashkimin Evropian për të gjetur përgjigjen në shumë pyetje lidhur me këtë rast. Cilat kanë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar zotëri Dick Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve të UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar ai atëherë dhe a ndihet i manipuluar sot kur jeta e tij është në rrezik?”, ka thënë Musliu.

Ajo ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, të cilët ende nuk janë deklaruar zyrtarisht mbi rastin.

“Vetë fakti që ende nuk kemi një prononcim ose deklaratë zyrtare qoftë nga kryeministri Kurti, qoftë nga presidentja e vendit, edhe sot bojkoti i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e AKI-së është për t’u frikësuar dhe për t’u shqetësuar, se institucionet e vendit nuk janë në krye të detyrës për ta mbrojtur dinjitetin e shëndetit tonë, luftën e pastër të UÇK-së”, ka thënë ajo.

Gjatë këtyre ditëve është raportuar se ish-senatori zviceran Dick Marty është nën rrezikun e një plani për t’u vrarë nga inteligjenca serbe dhe e gjitha kjo t’i vishet kosovarëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024