Një veteran i ushtrisë amerikane, i cili i ka vrarë 15 persona pasi e ka përplasur kamionin kundrejt një turme njerëzish në Nju Orllins, ka publikuar video në rrjete sociale vetëm pak orë para sulmit, dhe ka thënë se është inspiruar nga grupi ekstremist Shteti Islamik (IS) me dëshirën për të vrarë, ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë se sulmin e 1 janarit është duke e hetuar rastin si terrorist dhe nuk beson që sulmuesi ka vepruar vetëm.
Hetuesit kanë gjetur armë dhe atë që duket se është një pajisje shpërthyese e improvizuar në makinën e tij – në të cilën është gjendur edhe flamuri i IS-it.
Presidenti Biden ka thënë se FBI-ja i ka gjetur videot e postuara nga sulmuesi në rrjetet sociale.Sulmi i ka shndërruar festimet për Vitin e Ri në rrugën Burbon në një skenë makabre, me trupa të përgjakur dhe këmbësorë tjerë duke ikur me shpejtësi nëpër restorante për t’u strehuar.
Përveç të vdekurve, mbi 30 persona tjerë janë plagosur.
“Ne nuk besojmë se Jabbar është përgjegjësi i vetëm”, ka thënë agjentja speciale e FBI-së, Alethea Duncan, në një konferencë për media.
Ai është larguar nga detyra në ushtri më 2020 me gradën rreshter shtabi./REL/