Të paktën gjashtë anije kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të transportit detar, ndërsa vijon tensioni mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për rihapjen e kësaj rruge ujore jetike për ekonominë globale.
Sipas të dhënave nga kompanitë e monitorimit detar, anijet kanë kaluar kryesisht nëpër ujërat territoriale iraniane. Mes tyre ishte edhe cisterna kimike “Vast Plus”, e cila ndodhet nën sanksione amerikane. Shumica e mjeteve lundruese ishin anije mallrash të thata, ndërsa nuk është e qartë nëse ka pasur kalime të tjera.
Para nisjes së konfliktit më 28 shkurt, në këtë korridor detar kalonin çdo ditë nga 125 deri në 140 anije.
Ndërkohë, Donald Trump i ka bërë thirrje Iranit të “veprojë me zgjuarsi dhe shpejt” për të arritur një marrëveshje, ndërsa mediat amerikane raportojnë se Uashingtoni synon të zgjasë bllokadën ndaj porteve iraniane.Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se mundësia e një bllokade të zgjatur të porteve iraniane “për shumë muaj” është diskutuar nga Trump gjatë një takimi me drejtues të industrisë së naftës.