Vendoset arrest shtëpiak për ministrin Fikrim Danka
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Gjykata Themelore në Prizren ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, si dhe djalit të tij, dhe ka marrë aktvendim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj dy të pandehurve.
Sipas GJykatës, ministri Danka dyshohet se ka kryer veprat penale sulmi dhe për veprën penale kanosja. Ndërsa, djali i tij,F.D. (II), dyshohet se ka kryer veprat penale sulmi dhe veprën penale kanosja.
“Masa e arrestit shtëpiak është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2025 dhe mund të zgjasë deri më datën 09.03.2025. Të pandehurit nuk guxojnë që të largohen nga vendbanimi pa lejen e Gjykatës, si dhe iu ndalohet të kontaktojnë me personat me të cilët ata nuk jetojnë apo nuk janë të varur nga të pandehurit. Nëse të pandehurit e shkelin masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit. Kjo masë do të mbikëqyret nga Stacioni Policor në Prizren, të cilët edhe pa kërkesë të Gjykatës në çdo kohë mund të verifikojnë zbatimin e masës së arrestit shtëpiak dhe të njoftojnë Gjykatën për çdo cenim të mundshëm të masës. Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtje së seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë dhe dëgjimit të pohimeve të palëve, dhe në bazë të provave në shkresat e lëndës, ka gjetur se kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e paraburgimit është e pabazuar, dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Fillimisht Gjykata nga shkresat e lëndës ka vërtetuar se rrjedhë dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, në këtë drejtim është vlerësuar se edhe me masën e arrestit shtëpiak, do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohet normalisht dhe pa pengesa procedura penale, përkatësisht procedura hetimore ndaj të pandehurve”, thuhet në komunikatë.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i masës së arrestit shtëpiak, në këtë fazë të procedurës për të pandehurit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.