Begaj në Mal të Zi, takime me përfaqësues të shqiptarëve
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Begaj mirëpret hapjen e negociatave: Vendimi i sotëm afirmon progresin e Shqipërisë
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi, Presidenti i Republikës Bajram Begaj zhvilloi takime me përfaqësues të shqiptarëve në qeveri dhe parlament.

Kreu i Shtetit diskutoi me ta për forcimin politik të faktorit shqiptar në Malin e Zi dhe zhvillimin ekonomik të komunave ku jetojnë shqitarët etnikë.

“Kënaqësi e veçantë të takohesha me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj,

aktualisht përfaqësuesi më i lartë shqiptar në qeveri. Diskutuam për zhvillimet pozitive në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe shprehëm besimin se në fushën ekonomike dhe të ndërlidhjes infrastrukturore ka mundësi akoma të pashfrytëzuara që presin të konkretizohen në të ardhmen”, shkroi Presidenti Begaj në rrjetet sociale pas takimin me Gjeloshaj, raporton ATSh.

Po ashtu Presidenti Begaj zhvilloi në Ambasadën e Shqipërisë në Podgoricë, takime me përfaqësuesit e shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi.

“Në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, me një takim vëllazëror grup-deputetësh shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi. Diskutuam për faktorizimin politik të shqiptarëve në Malin e Zi dhe prioritetet e zhvillimit ekonomik nëpërmjet projekteve ndërkufitare të zonave ku banojnë shqiptarët etnikë”, shkroi Presidenti Begaj.

Presidenti i Republikës informoi edhe mbi takimin me nënkryetarin e Parlamentit Nikoll Camaj.

“Kënaqësi të takoja nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, politikanin shqiptar me një eksperiencë të vyer, Nikoll Camaj. Ndamë bashkë mendimet mbi forcimin politik dhe ekonomik të shqiptarëve etnikë që jetojnë këtu, urë solide lidhëse mes dy popujve”, tha Begaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025