Organizata për mbrojtjen e mjedisit Ecopana, përfaqësuese e WWF Adria në Kosovë, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës kanë bërë sot vendosjen e tabelave informuese për rëndësinë e Ujëvarave të Mirushës si monument i natyrës me rëndësi të veçantë.
Vendosja e këtyre tabelave ka për qëllim të ndërgjegjësojë vizitorët për rëndësinë ekologjike, shkencore, estetike, kulturo-historike dhe atë turistike të Ujëvarave të Mirushës.
Tabelat informuese të sapo vendosura do të kontribuojnë në ndërgjegjësim mjedisor dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone.
“Ne jemi të përkushtuar të punojmë në ruajtjen e trashëgimisë unike natyrore të Ujëvarave të Mirushës. Me vendosjen e këtyre tabelave, ne shpresojmë të nxisim turizëm të përgjegjshëm dhe të kontribuojmë në shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore”, tha Krenare Salihu, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Ecopana/WWF Adria në Kosovë.
Penda në Mirushë ishte ndërtuar ilegalisht midis viteve 2011 dhe 2013 fillimisht për prodhim hidroenergjetik, por tani nuk shërben për asnjë qëllim. Studimet e bëra në kuadër të këtij projektit të Ecopana/WWF Adriana në Kosovë për pendën e Mirushës tregojnë se ndikimi i saj ka qenë i dëmshëm për florën e faunën.
Ndërsa Sami Behrami nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Natyrës falënderoi Ecopana/WWF Adria për mbështetje në vendosjen e tabelave informuese.
Drejtori për Urbanizëm në komunën e Malishevës, Avdi Morina gjatë vendosjes së tabelave informuese theksoi rëndësinë e kujdesit më të madh të institucionale lokale dhe qendrore për mbrojtjen e Ujëvarave të Mirushës.