Vendimin e Supremes për tarifat e rrymës, PDK do ta dërgojë në Kushtetuese
Lexohet për: 4 min.
pdk
2 vite më parë
Linku u kopjua

Partia Demokratike e Kosovës do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës Supreme, e cila i dha të drejtë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu u shpreh se vendimi i Supremes është i ndikuar politikisht nga qeveria aktuale.

“Ne si PDK e kundërshtojmë ashpër këtë vendim të Gjykatës Supreme duke e konsideruar atë si vendim të ndikuar politikisht nga qeveria aktuale. Gjykata Supreme duket se ka qenë e prirë nga interesa të tjera klanore, karrieristike dhe posaçërisht politike po të mos ishte kështu siç konstatova e ndikuar dhe e pa sens do të vendoste ashtu sikundër do ta udhëzonin normat dhe ligjet në fuqi. Dhe ashtu siç kanë vendosur edhe Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit”, u shpreh Abdullahu.

Abdullahu duke e konsideruar si të padrejtë vendimin e ZRRE-së, u shpreh se PDK nuk do e lë me kaq.

“Vendimi ky që po flasim sot i Gjykatës Supreme është vendim i padrejtë për nga mungesa e sensit për të kuptuar se si jetojnë qytetarët e Kosovës,  për nga mungesa e profesionalizmit, profesionalizëm ky që bie viktimë e politikës arrogante, qeveritare që mendon se drejtësia në politik dhe qeveri është mbi drejtësi që duhet ta ndaj gjykata. PDK nuk do e lë me kaq ne do të gjejmë forma të ndryshme për ta shtyrë përpara kauzën tonë që ka për qëllim mbrojtjen  e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës i cili po dëmtohet pandalshëm nga papërgjegjësia e kësaj qeverie”, theksoi ai.

Avokati Faton Fetahu tha brenda dy javëve me qëllim të vlerësimit të kushtetutshmërisë së vendimit të djeshëm të Supremes, këtë vendim do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Vendimi i djeshëm i Gjykatës Supreme ndalohet vetëm në këtë kushtin e parë të vlerësimit ligjor duke pretenduar  se parashtruesi i kërkesës nuk ka ofruar prova të mjaftueshme të cilat e provojnë faktin se vendimi kontestues u shkakton dëme qytetarëve të Kosovës.... konstatoj me vetëbesim të plotë se kjo është një nga konstatimet më të padëgjuara në procesin e vendimmarrjes gjyqësore të sistemit të Kosovës sepse është kusht Gjykata Supreme sikurse ajo paraprake këto tri kushte t’i vlerësojë ajo fare nuk i vlerësoi rrjedhimisht  nuk e bërë punën e saj në pajtim me ligj duke rënë ndesh me disa nga garancionet themelore kushtetuese...Tashmë kam filluar shqyrtimin dhe vlerësimit të këtij vendimi dhe të njëjtën do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese, si palë të autorizuara në procedurë kemi kohë 4 muaj por këtë kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij vendimi do e bëjmë në dy javët e ardhshme”, u shpreh ai.

Lidhur me mospajtimin në mes të veteranëve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas takimit që kanë zhvilluar sot, ai ka shprehur edhe njëherë mbështetjen e kësaj partie për kategoritë e dala nga lufta.

“Do të ndërmarrim të gjitha veprimet që veteranët të jenë ata që nuk do të përjashtohen dhe përçmohen nga kjo Qeveri dhe çfarëdo që duhet do të bëjmë që kjo të mos ndodh aq më shumë për faktin se jemi të vetëdijshëm se kjo qeveri për shkak të trashëgimisë dhe mendësisë së saj përjashtuese ndaj veteranëve, ndaj vlerave të luftës është  plotësisht e pakujdesshme ndaj tyre ne të vetëdijshëm për këtë do ta përkrahim veteranin sepse konsiderojmë se është e përçmuar. Se si do të jenë format e veprimit për të përkrahur këtë kategori varet se si do të vendosim ne, varet se si do të rezultojnë takimet që janë mbajtur apo do të mbahen në të ardhmen”, u shpreh ai.

Gjykata Supreme gjatë ditës së djeshme e ka hedhur poshtë vendimet e Themelores dhe Apelit, duke i dhënë të drejtë ZRRE-së, për vendimin për shtrenjtim të energjisë elektrike që ndodhi muajt e fundit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025