Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).
Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.
Shtetet që e kanë kundërshtuar lidhjen me ETIAS, e kanë argumentuar këtë me faktin se ai sistem mund të mos jetë gati as më 1 nëntorë të vitit 2023, dhe kjo do ta shtynte përsëri hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën. Prandaj, sipas interpretimit të disa diplomatëve, formulimi i ri do të lërë hapësirë që liberalizimi të hyjë në fuqi edhe në rast se do të shtyhet përsëri zbatimi i sistemit ETIAS.
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian tash duhet të përgatisë një draft të ri të propozimit, i cili do të futet në procedurën e heshtur në Këshill në nivelin e grupit punues. Nëse asnjë shtet nuk e kundërshton tekstin e ri deri në një afat të caktuar, me gjasë deri në mesin e javës që vjen, atëherë kjo dosje do të bartet për vendim tek ambasadorët e vendeve anëtare në Këshill, trupin e njohur si Coreper.
Diplomatët në BE thonë se “synimi është që deri me datën 6 dhjetor, kur në Tiranë zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor, të ketë vendim për këtë çështje në mënyrë që kjo të përmendet si një prej rezultateve të BE-së në raportet me vendet e rajonit”.
Diskutimi i së enjtes në grupin punues ishte i dyti me radhë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Pas diskutimeve të së enjtes burimet në BE thonë se të gjitha vendet janë të interesuara që të mos ketë vonesa në miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën”.
Këto burime besojnë se kompromisi për të cilin kanë rënë dakord në takimin e së enjtes, do të mundësojë që vendimi të miratohet sa më shpejt, megjithëse hyrja e tij në fuqi do të caktohej për datën 1 nëntor të vitit 2023.
Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.
Më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.