Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po mbajnë të premten ditën e dytë të një takimi të nivelit të lartë për të vlerësuar mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ata folën për nevojën e një gjykate të posaçme për krimet e Rusisë. Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka paralajmëruar se Rusia po përpiqet të nxisë një eksod refugjatësh duke shkatërruar infrastrukturën energjetike të vendit të tij të shkatërruar nga lufta.
Kryeministri letonez Krisjanis Karins tha në ditën e dytë të bisedimeve në Bruksel se lufta e Rusisë po bëhet gjithnjë e më brutale, duke vënë në shënjestër qytetarët ukrainas dhe infrastrukturën e tyre civile dhe energjetike.Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas shprehu gjithashtu nevojën e një gjykate të veçantë për krimet e agresionit të Moskës.
"…Sepse krimet e luftës ndiqen penalisht nga Gjykata Ndërkombëtare Kriminale dhe Ukraina, por krimet e agresionit mund të ndiqen penalisht vetëm nga një gjykatë e veçantë”, tha ajo.
"Nuk është e lehtë. Është jashtëzakonisht e dhimbshme. Por përpjekjet tona dhe ato që u kërkojmë popullatës sonë, sjellin rezultat. Dhe kjo është e rëndësishme për të mbajtur qytetarët tanë të motivuar”, tha ai.
Pothuajse tetë muaj pas luftës, Rusia po vë gjithnjë e më shumë në shënjestër centralet e Ukrainës, ujësjellësit dhe infrastrukturën tjetër kyçe me sulmet me raketa dhe dronë.
Udhëheqësit e bllokut me 27 vende nuk arritën të enjten të binin dakord për një tavan çmimesh për gazin, pasi Gjermania e kundërshtoi një gjë të tillë. Më shumë se 4.3 milionë qytetarë ukrainas janë regjistruar për strehim të përkohshëm në BE.
Në një projekt-deklaratë të takimit të nivelit të lartë, udhëheqësit premtojnë “të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa të duhet" me mbështetje të vazhdueshme politike, ushtarake dhe ekonomike. Projekt-deklarata e siguruar nga agjencia Associated Press, pritet të miratohet më vonë të premten, por formulimi i saj mund të pësojë ende ndryshime.