Një 26-vjeçar ka ndërruar jetë sonte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi të shtunën ishte therur me thikë dhe më pas ishte hedhur në rrugë nga një veturë në lagjen “Bazhderhane” nga persona të panjohur.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur për KosovaPress se viktima A.TH. ka ndërruar jetë derisa ishte për trajtim në repartin intensiv.
Ndryshe, më datë 6 korrik 2024, rreth orës 23:55, është raportuar se në lagjen “Bazhderhane” në Prizren është një person i shtrirë në tokë.
Policia i është përgjigjur rastit ku ka kuptuar që viktima ishte therur me thikë dhe më pas është njoftuar urgjenca e qytetit. Personi, tashmë i ndjeri A.Th. është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor, e më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë.