Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur për sot mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, dy ditë pas vrasjes së shtatzënës në Prishtinë.
Në takimin e sotëm, ku pritet të marrin pjesë të gjithë liderët institucionalë, siç ka deklaruar Osmani, pritet të dalin me përfundime dhe konkluzione konkrete se si të parandalohen aktet e dhunës dhe femicidi sa më urgjentisht që të jetë e mundur.
“Në këtë takim përveç liderëve institucionalë do të marrin pjesë edhe udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë, të sigurisë, përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve të pavarura. Në agjendë janë dy pika konkrete: E para, secili institucion të jetë në inputin e vet lidhur me mangësitë që ekzistojnë në sistemin tonë për mbrojtjen e jetës së vajzave dhe grave dhe e dyta do të dalim me përfundime dhe konkluzione konkrete se si të parandalojmë këto akte të dhunës dhe këtë femicid sa më urgjentisht që të jetë e mundur. Shpresoj shumë që secili nga institucionet e Kosovës do të vijë me një listë veprimesh konkrete të cilat nënë ombrellën e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe i cili do të mbikëqyrë zbatimin e tyre do të shtyhen përpara, duke kuptuar seriozitetin e kësaj situata jashtëzakonisht tronditëse për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë. Si shtet dhe shoqëri jemi para një sfide serioze, sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet”, ka thënë Osmani për RTK-në.
Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës një burrë (Sokol Halili) ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë në oborrin e objektit të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë. Gruaja shtatzënë, siç është raportuar, ka qenë duke pritur për të lindur. Gjykata Themelore e Ferizajt, dje ka njoftuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35-vjeçares, e cila është vrarë në oborrin e QKUK-së.
Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët për ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes shtatzënë në QKUK, e i cili ende ndodhet në arrati.
Ndërkohë, shtatzëna që është vrarë të mërkurën në mbrëmje do të varroset sot.