Vdekja e liderit të grupit militant palestinez Hamas, Yahya Sinwar, nga një sulm izraelit të enjten, ka nxitur thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës.
Sinwar, i cilësuar si arkitekti i sulmit të 7 tetorit 2023 që e nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, u vra në jug të Gazës nga një sulm izraelit. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.Biden theksoi, pas një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, se ka ardhur “koha që lufta të përfundojë dhe t’i kthejmë pengjet në shtëpitë e veta. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, bënë thirrje përmes komunikatave që Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet.Derisa Izraeli e ka konfirmuar vrasjen e Sinwarit, Hamasi ende nuk ka komentuar.
Sinwar ishte zgjedhur udhëheqës i grupit pas vrasjes së liderit të atëhershëm, Ismael Haniyehut, në korrik, në një sulm të dyshuar izraelit në kryeqytetin iranian, Teheran.
Ndërkohë, Biden theksoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë për në Lindje të Mesme në ditët në vijim, për të bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe për armëpushim në Gazë.
“Hamasi nuk do ta sundojë më Gazën. Sot nis dita pas Hamasit”, tha Netanyahu, duke shtuar se Izraeli do ta vazhdojë luftën derisa të lirohen të gjitha pengjet.
“Lufta jonë nuk ka mbaruar ende”, shtoi ai./REL/