Pas një pauze disa orëshe dhe takimit të drejtuesve të partive që janë pro shkarkimit të Qeverisë në Malin e Zi, të drejtuar nga shqiptari Dritan Abazoviq, ka nis sërish seanca e Kuvendit.
Ndërkohë, Kryesia e Partisë Boshnjake në Malin e Zi, në bazë të rekomandimit të Komisionit Kryesor, në seancën e sotme ka marrë vendim që deputetët e BS-së të votojnë për mosbesim në Qeveri, ka bërë të ditur zëdhënësi i BS-së Adel Omeragiç.
Nisma për t’i hequr votëbesimin qeverisë është kërkuar nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, të disa partive në koalicinonin qeveritar dhe partive të tjera, për shkak të ndalimit të Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimin e tensioneve ndëretnike në vend.
Nismëtarët e mosbesimit e kritikojnë qeverinë duke theksuar se në vend të ndjekjes së rrugës evropiane, qeveria po kryen eksperimente politike. “Pas qeverisë së ekspertëve dhe (qeverisë) së pakicës, Mali i Zi nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje për një qeveri legjitime”, tha Danijel Zhivkoviç, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Socialiste, të presidentit Milo Gjukanoviç.