Fetahu: Jemi në krizë të rezultateve te përfaqësuesja A
Sport
Lexohet për: 3 min.
arben-fetahu-070125
23 orë më parë
Linku u kopjua

Ndonëse i kënaqur me nivelin e organizimit të garave vendore në basketboll, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu thotë se është i zhgënjyer me rezultatet e Përfaqësueses A gjatë vitit 2024.

Sipas tij, niveli i Superligës, por edhe sukseset e gjeneratave të reja, janë ato që kanë pasur ecuri pozitive në vitin e kaluar.

Në një intervistë për KosovaPress, Fetahu thotë se Përfaqësuesja A e Kosovës është në krizë të thellë të rezultateve.

“Te reprezentacioni A me këto dy humbjet e fundit në nëntor të vitit të kaluar, vetëm sa e kemi thelluar më shumë krizën, e cila nuk është duke na pëlqyer dhe shpresoj të bëjmë ndryshime në këtë drejtim, për ta përtërirë ekipin dhe për të shkuar tutje me ekip më të ri, i cili duhet që për dy, tri apo pesë vjet ta na e jap rendimentin e duhur. Është pozitiv në këtë drejtim fakti që disa prej këtyre djemve dhe vajzave të reja po shkëlqejnë në ekipet e tyre dhe kanë hapësirë mjaftueshëm për të garuar”, thotë Fetahu.

Sipas Fetahut, ky dështim i “dardanëve” vjen për shkak të faktorëve të rëndësishëm që po e pengojnë direkt zhvillimin e basketbollistëve të rinj në Kosovë.

“Janë dy faktorë, të cilët ndikojnë këtu. E para është se kemi fond të pamjaftueshëm të trajnerëve. Ne edhe në kuptim kuantitativ kemi pak trajnerë, i kemi rreth 100 që janë të regjistruar në Kosovë dhe ky do të jetë fokusi gjatë vitit 2025 e tutje, do të thotë të punojmë shumë më shumë me trajnerët. Fakti numër dy është mungesa e infrastrukturës, ne nuk kemi infrastrukturë të mjaftueshme sportive në këtë vend për të akomoduar kërkesat e të gjitha sporteve,” thotë ai.

I pari i FBK-së thotë se kjo federatë tashmë ka plan konkret për ndryshimin e gjendjes, ku përfshihen edhe klubet e Superligës.

Për vitin 2025, Fetahu thotë se fokusi i Federatës do të jetë organizimi i Kupës në basketboll në muajin shkurt, faza finale e Ligës Unike mes ekipeve kosovare dhe atyre nga Shqipëria, si dhe përgatitjet për përfundimin sa më të mirë të stinorit aktual garues në Superligën e Kosovës në basketboll.

Intervista e plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025