Vazhdon bashkëpunimi i suksesshëm mes KB Prishtina dhe Sigal-it
Sport
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua
Klubi i basketbollit Prishtina dhe kompania e sigurimeve, Sigal Uniqa Group Austria kanë vazhduar bashkëpunimin ndërmjet tyre.
Kryetari i KB Prishtinës, Blerand Stavileci tha në konferencë për media se bashkëpunimi me Sigalin e ka ndihmuar Prishtinën që ta vazhdoj rrugën e sukseseve dhe fitimin e trofeve të shumtë në basketbollin vendor.
“Në këto 21 vite, saktësisht prej sezonit 2004-2005, Avniu ka qenë gjithmonë kryefjala e klubit. Edhe në vitet e vështira, ku mos me qenë Sigal-i kish me qenë problem me mbajt interesimin, sidomos prej 2005-2006 deri në vitin 2011 dhe 2012. Dhe tash edhe bashkë me federatën edhe me Avniun, por edhe me Federatën Shqiptare të Basketbollit por edhe ne klubet këtu që falë punës dhe dedikimit të disa personave edhe në klubet tjera, ne sivjet në Kosovë i kemi tetë klube ku niveli është pothuajse i barabartë. E ka me qenë besoj përsëri një kampionat interesant, një edicion shumë interesant ku e kemi më lehtë se sportet tjera pikërisht për shkak pikërisht këtij bashkëpunimi dhe kontribuuesve të mëdhenj”, deklaroi ai.
Ai shtoi se për 21 vite bashkëpunim këtë dy brende kanë qenë shembull i bashkëpunimit edhe për klubet tjera në Kosovë, derisa ka theksuar se pronari i Sigal-it Avni Ponari ka qenë gjithmonë afër klubit duke e mbështetur atë në situata të mira por edhe të rënda.
E vet pronari i Sigal Uniqa Group Austria, Avni Ponari theksoi se këto dy brende janë rritur duke shënuar suksese të përbashkëta dhe duke arritur hiç më pak se 31 trofe vendor dhe ndërkombëtar.
“Janë shumë vite që ne kemi qenë mbështetje e ekipit të basketbollit dhe unë sot jam shumë i lumtur që ndodhem pas 21 vitesh përsëri këtu. Që nga kronikat e para që ne kemi bërë në 2004-2005, atëherë në ato sallat e vogla të Pallatit të Sportit apo diku tjetër. Dhe natyrisht që i mbaj mend shumë mirë. Por ajo që është e veçantë këtë vit është se unë me mbështetjen e Federatës së Basketbollit të Kosovës jam edhe qytetar i Republikës së Kosovës, pra kam marrë edhe pasaportën...Sigal-i dhe Sigal Prishtina janë rritur së bashku dhe me dhjetëra trofe që ka marrë Sigal si kompani sigurimesh dhe Sigal-i si ekip sportiv kanë qenë një emocion shumë i veçantë për mua”, përfundoi ai.
Ai ka shtuar se ndihet krenar me bashkëpunimin e KB Prishtinën gjatë gjithë këtyre viteve dhe është i lumtur që do të vazhdojë ta mbështes këtë klub.
Kontrata e re e bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy brendeve është në kohëzgjatje prej një viti. /A.Bytyqi