Ekipet e kërkimit janë në garë me kohën për të gjetur nëndetësen e turistëve, që u zhduk gjatë një zhytjeje drejt pjesëve të anijes së fundosur, Titanik. Pesë persona ishin në bordin e nëndetëses kur ajo humbi kontaktin rreth një orë e 45 minuta pas zhytjes.
Radio Evropa e Lirë raporton se operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar gjatë natës në mes të Oqeanit Atlantik, por deri më tani ekipet nuk kanë hasur në nëndetësen.
Besohet se anëtarët e ekuipazhit kanë oksigjen për rreth katër ditë. Në mesin e personave që gjenden në këtë nëndetëse është miliarderi dhe eksploruesi britanik, Hamish Harding.
Në bord të nëndetëses janë edhe biznesmeni pakistanez, Shahzad Dawood, dhe djali i tij Sulemani.
“Tani, fokusi ynë është që të kemi sa më shumë kapacitete në atë zonë”, tha admirali i Rojeve Bregdetare amerikane, John Mauger.
Avionë ushtarakë, nëndetëse sonare janë përfshirë në kërkimin e nëndetëses.
Nëndetësja e zhdukur komunikon me një anije mbi sipërfaqen e ujit përmes teksteve të shkurtra. Por, komunikimi përmes GPS dhe sistemeve të radios nuk është i mundur. Personat që gjenden brenda nëndetëses nuk mund të dalin vetë nga ajo, sepse ata janë të mbyllur brenda me bulona që vendosen nga jashtë.