Alarmi i kuq është lëshuar në 15 qytete në të gjithë Italinë, pasi vapa ekstreme vazhdon të prekë Evropën Jugore.
Alarmet, të cilat tregojnë rreziqe edhe për njerëzit e shëndetshëm, zbatohen për pikat e nxehta turistike, duke përfshirë Romën, Firencen dhe Bolonjën për ditët në vijim.
Nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) kanë thënë se Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia mund të kenë kushte ekstreme.
ESA monitoron temperaturat e tokës dhe detit nëpërmjet satelitëve të saj.
Qeveria italiane ka këshilluar këdo në zonat e mbuluara nga alarmi i kuq i së shtunës që të shmangë rrezet direkte të diellit nga ora 11:00 deri në orën 18:00 dhe të kujdeset veçanërisht për të moshuarit ose personat në rrezik.
Ndërkohë, Greqia ka arritur temperaturat 40°C (104°F) ose më shumë ditët e fundit. Akropoli - atraksioni më i njohur turistik i vendit - është mbyllur gjatë orëve më të nxehta të së premtes për të mbrojtur vizitorët.
Temperaturat e larta kanë arritur gjithashtu në pjesët qendrore të Evropës, ku Gjermania dhe Polonina janë ndër vendet e prekura, shkruan BBC, përcjell KosovaPress
Vala aktuale e të nxehtit në Evropë është quajtur Cerberus nga Shoqëria Meteorologjike Italiane, sipas përbindëshit me tre koka që shfaqet në Ferrin e Dantes.
Zyra meteorologjike e Republikës Çeke ka lëshuar një paralajmërim se temperaturat gjatë fundjavës mund të shkojnë mbi 38 gradë Celsius, që është jashtëzakonisht e lartë për vendin.
Megjithatë, në Mbretërinë e Bashkuar të shtunën priten shira të dendura dhe erëra të forta në disa pjesë të Anglisë.