Qyteti holandez i Utrehtit, i njohur edhe si vendi i biçikletave, renditet i pari në mesin e qyteteve më miqësore për biçikletat në botë.
Kompania e sigurime digjitale “Luko” publikoi listën e qyteteve më miqësore për biçikletat në botë “Indeksi Global i Qyteteve të Biçikletave 2022”. Gjatë përgatitjes së këtij indeksi, u morën parasysh klima, norma e përdorimit të biçikletave, siguria, infrastruktura, mundësitë e ndarjes dhe dhënies me qira si dhe aktivitetet miqësore për biçikletat.
Kryetari i Unionit të Biçiklistëve të Holandës në Utrecht, Peter van Bekkum u shpreh i kënaqur dhe krenar për punën shumëvjeçare të Komunës së Utrecht-it për të përgatitur një infrastrukturë më të mirë për ngasësit e biçikletave.
“Dëshirojmë t’u ndihmojmë njerëzve me të ardhura më të ulëta që të marrin biçikleta dhe të zhvillojmë punime për të dhënë kurse të ngasjes së biçikletës së bashku me Koalicionin e Biçikletave të Utrecht-it me sloganin ‘I gjithë Utrecht-i nget biçikletë’. Dëshirojmë që gjithkush të mund të përfitojë nga avantazhet që qyteti i biçikletës Utrechti ofron”, tha Van Bekkum.
Bob Gutjahr tërhoqi vëmendjen se Utrechti ka shtigje shumë të gjata për biçikleta. “Nëse shikoni përreth do ta vërreni këtë. Për momentin të gjithë i çojnë fëmijët e tyre në shkollë me biçikletë dhe kjo po shkon mjaft mirë. Çdo ditë i çoj dhe i marr fëmijët e mi në shkollë. Kjo është mjaft e përshtatshme. Sipas mendimit kjo u pëlqen edhe fëmijëve”, tha ai.
Shtegu i parë i biçikletave në vend u hap në vitin 1885 në rrugën “Maliebaan” në Utrecht.
Tri nga shtigjet më të frekuentuara të biçikletës në Holandë gjenden në Utrecht, më e ngarkuara prej të cilëve është ajo në rrugën “Vredenburg”.
“Parku i Biçikletave në Sheshin e Stacionit” që gjendet nën Sheshin e Stacionit pranë Stacionit të Trenave në Utrecht është “parku më i madh i biçikletave në botë” me një kapacitet prej 12.500 biçikletave.
Në parkun e hapur natë e ditë dhe pa pagesë për 24 orët e para, nëse biçikleta është e parkuar për më shumë se një ditë, duhet paguar 1.35 euro në ditë duke filluar nga dita e dytë. Ata që janë abonentë të parkut paguajnë 80 euro në vit.
Pas Utrecht-it në renditjen e qyteteve më miqësore për biçikletat në botë renditen qyteti Münsteri i Gjermanisë, Anversi i Belgjikës, Kopenhaga e Danimarkës dhe Amsterdami i Holandës.
Holanda me një popullsi prej 17 milionë banorësh, njihet si “vendi i biçikletave” me 23 milionë biçikleta dhe mesatarisht 1.3 biçikleta për person në mbarë botën.
Pjesa dërmuese e popullatës, e cila njihet me biçikletën që në moshë fëmijërore, përdor biçikletë të dorës së dytë.