Ushtria amerikane qëllon anijen “me drogë” në Paqësor, vret tre “terroristë”
Dëgjoje me zë...
Ushtria amerikane qëllon anijen “me drogë” në Paqësor, vret tre “terroristë”
Ushtria amerikane ka bërë me dije se ka vrarë tre “terroristë” që sipas saj pretendohet se po trafikonin drogë, me një anije diku në Paqësorin Lindor.
Sulmi i cili u quajt “vdekjeprurës kinetik” u krye më 5 maj, me urdhër të komandantit të Komandës Jugore të Ushtrisë Amerikane (SOUTHCOM) gjeneralit Francis L. Donovan, ndërsa u realizua nga Forca e Përbashkët Operative “Southern Spear”.
“Inteligjenca konfirmoi se anija po lëvizte përgjatë rrugëve të njohura të trafikimit të narkotikëve në Paqësorin Lindor dhe ishte e përfshirë në operacione të trafikimit të drogës”, thuhet në një njoftim të SOUTHCOM, përcjellë KosovaPress.
Sipas njoftimit, “tre narko-terroristë meshkuj u vranë gjatë këtij aksioni”.
Po ashtu, Departamenti i Luftës bëri me dije se asnjë pjesëtar i forcave ushtarake amerikane nuk u lëndua në këtë sulm.
Rastet kur forcat amerikane sulmojnë anije që supozohet se janë përfshirë në operacione të trafikimit të drogës janë shtuar muajve të fundit.