Në mesin e janarit, SHBA përmes USAID-it ka ndarë 3 milionë dollarë shtesë ndihmë urgjente Kosovës për COVID-19, e cila do të mbështesë forcimin e mbrojtjes së fëmijëve të cenueshëm që janë goditur nga pandemia dhe do të sigurojë vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve sociale themelore.
Ajo gjithashtu do të përmirësojë shërbimet në terren në kuadër të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor për të promovuar vaksinimin dhe digjitalizuar bazën e të dhënave mbi menaxhimin e rasteve të COVID-19 me qëllim të lehtësimit të shkëmbimit të shpejtë të informatave në mes të institucioneve shëndetësore.
Ndihma financiare prej 3 milionë dollarësh i është shtuar aktivitetit Reagimi ndaj Pandemisë, i cili zbatohet përmes UNICEF-it dhe ndërton mbi ndihmën paraprake në vlerë prej 5.1 milionë dollarë për COVID-19 që USAID-i zotoi për Kosovën gjatë pandemisë.
Që kur Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19, USAID-i ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për t'u kujdesur për të prekurit dhe siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar COVID-19.
Me fillimin e vitit shkollor, USAID-i gjithashtu u dhuroi komplete higjienike 660 shkollave fillore dhe të mesme.
SHBA mbetet donatori më i madh bilateral i sistemit shëndetësor të Kosovës në forcimin e reagimit ndaj COVID-19. Në fillim të pandemisë, SHBA siguroi 50 respiratorë të rinj si pjesë e pakos mbështetëse që përfshinte pajisje shoqëruese të respiratorëve, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe uebinare online.
Rishtazi, USAID-i lehtësoi në emër të Qeverisë së SHBA-së shpërndarjen e 538.200 dozave të vaksinës Pfizer, thuhet në një komunikatë për media.