Një delegacion i profesorëve, trajnerëve dhe stafit akademik nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës përfundoi së fundmi një vizitë studimore në Reggio Emilia të Italisë, në kuadër të projektit WEMPOWER (AID 013244/03), i financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor (AICS) dhe i zbatuar nga Volontari nel Mondo RTM, me mbështetjen e AICS Tirana dhe Ambasadës së Italisë në Prishtinë, në bashkëpunim me Universitetin e Modenës dhe Reggio Emilias (UNIMORE), Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Institucionin e Shkollave dhe Çerdheve të Komunës së Reggio Emilias, Panta Rei PER, Childproof/CIPOF dhe Fondacionin Reggio Children – Qendra Loris Malaguzzi.

Gjatë qëndrimit të tyre, delegacioni i Universitetit të Prishtinës mori pjesë në një sërë takimesh dhe punëtorish me përfaqësues të Universitetit të Modenës dhe Reggio Emilias (UNIMORE), Fondacionit Reggio Children dhe Institucionit të Çerdheve dhe Kopshteve të Komunës së Reggio Emilias. Programi përfshiu gjithashtu vizita në një kopsht dhe një çerdhe komunale, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë të njihen nga afër me Qasjen Reggio Emilia.

Një moment kyç i vizitës ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Fakultetit të Edukimit të universitetit të Prishtinës dhe departamentit të Edukimit dhe Shkencave Humane të UNIMORE-s. Ceremonia e nënshkrimit u udhëhoq nga profesoresha Annamaria Contini (drejtoreshë e departamentit, së bashku me profesorin Federico Ruozzi (president i institucionit të shkollave dhe çerdheve të fëmijërisë së hershme) dhe Antonio Gariboldi (profesor i rregullt i didaktikës dhe pedagogjisë speciale). Universiteti i Prishtinës u përfaqësua nga prorektorja Prof. Asoc. Majlinda Gelaj, Prof.Asoc. Dr. Rozafa Shala (prodekane e Fakultetit të Edukimit), Prof. Asst. Dr. Blerta Perolli Shehu (prodekane për shkencë dhe zhvillim) dhe profesoresha e asocuar Arlinda Beka. Në bazë të Memorandumit të saponënshkruar, të dy universitetet do të zhvillojnë iniciativa të përbashkëta kërkimore, programe shkëmbimi për staf dhe studentë, aktivitete të përbashkëta mësimore dhe vizita reciproke institucionale, me synim forcimin e integrimit të ekosistemeve të tyre akademike.
