Unioni i Turizmit të Kosovës më datën 2-3 dhjetor 2022 është vlerësuar me çmimin “Balkan’s Best Tourism Innovations" në eventin “Balkan Awards of Tourism Industry 2022”, organizuar nga agjencia e komunikimit publik VIP Communication Ltd.
Me pjesëmarrës nga i gjithë Ballkani dhe shtrirje në mbi 50 media evropiane, ky kontest dëshmon standardin, punën dhe sukseset e Unionit të Turizmit të Kosovës si njëra ndër organizatat më të mira dhe me kontribuuese në mbështetje të bizneseve dhe zhvillimit të turizmit në Ballkan, një vlerësim i mirë jo vetëm për Unionin e Turizmit të Kosovës, por edhe për shtetin e Kosovës dhe turizmin e saj.Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës Baki Hoti tha se gjatë qëndrimit 4-ditorë në mbështetje edhe të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bullgari e në veçanti të ambasadorit Delfin Pllana arritën të nënshkruajnë edhe dy marrëveshje bashkëpunimi me asociacionin e agjencive turistike të Bullgarisë dhe asociacionin e hoteleve të Bullgarisë.
Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është thellimi i bashkëpunimit, shkëmbimi i përvojave, intensifikimi dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të rritjes së numrit të vizitorëve.
Unioni i Turizmit të Kosovës falënderon të gjithë stafin e Ambasadës së Kosovës në Bullgari, kompaninë Adria Tours, në krye me pronar Granit Bajra për mbështetjen dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin dhe forcimin e UTK drejt këtyre sukseseve.