Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Nju Delhi në Indi, miratoi sot vendimet për Qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare, Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën dhe shtyu për vitin e ardhshëm vendimin për zonën ndërkufitare shqiptare dhe maqedonase të Liqenit të Ohrit.
Në vendimin për Butrintin UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare, pa dijeninë dhe pa miratimin e UNESCO-s.
UNESCO kërkon gjithashtu që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të mbajë mbikëqyrjen e të gjithë Pronës së Trashëgimisë Botërore.
“Për të arritur një menaxhim dhe llogaridhënie efektive", thekson UNESCO, "prona e Trashëgimisë Botërore dhe zona e saj tampon duhet të menaxhohet në mënyrë të koordinuar dhe në tërësi”.
UNESCO thotë në vendim se “vëren se ICOMOS ka përgatitur një rishikim teknik të projektit të Qendrës së Vizitorëve dhe dokumentacionit përkatës të paraqitur nga Shqipëria dhe i kërkon autoriteteve shqipatre që të zbatojë plotësisht rekomandimet, duke përfshirë dhënien e kohës së mjaftueshme për të përgatitur një Vlerësim të plotë të Ndikimit të Trashëgimisë i cili, ndër të tjera, duhet të bazohet në hulumtime të plota arkeologjike dhe të përfshijë hapësirën e peisazhit”.
UNESCO kërkon që “Shqipëria të vazhdojë të paraqesë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore detaje të projekteve që mund të prekin Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të Butrintit (VJU) përpara se të merret ndonjë vendim i pakthyeshëm për zbatimin e tyre, dhe që projektet të zbatohen vetëm pasi të ketë rënë dakord UNESCO”.
Ndërkohë, në vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore”.
“Shqipëria duhet të përditësojë Planin e Menaxhimit si një çështje me përparësi duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore dhe duke përfshirë në mënyrë aktive autoritetet vendore të Beratit dhe Gjirokastrës”, thotë UNESCO.
UNESCO i kërkon Shqipërisë të ndërmarrë një studim të integruar për të vlerësuar ndikimin e projekteve të shumta të infrastrukturës dhe zhvillimit dhe t'ia dorëzojë atë UNESCOS për shqyrtim nga organet këshillimore.
UNESCO thotë se mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të përmirësuar rregulloret e urbanistikës së Beratit dhe të Gjirokastrës, por kërkon të qartësohen ndërlidhjet ndërmjet Planit të Menaxhimit të Integruar dhe planeve të veçanta për ruajtjen mbrojtjen dhe administrimin e qendrave historike të dy qyteteve.
MEKI thotë se edhe pika e vetme në të cilën shprehet keqardhje për vonesën e sqarimit të kufijve të pasurisë botërore, reflekton situatën e kohës kur është përgatitur projektvendimi i UNESCO-s.
MEKI thotë se ka dërguar në Paris paketën e parë të hartave dhe ka marrë komentet paraprake nga Qendra e Trashëgimisë Botërore.
Gjatë një interpelance të zhvilluar të enjten me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe deputetja e opozitës Ina Zhupa, tha se në ish zonën tampon të Parkut Kombëtar të Butrintit po zhvilloheshin projekte të mëdha ndërtimore.
Duke treguar në parlament dy foto të investimeve Zhupa tha se “këto janë modele zhvillimi që injorojnë UNESCO-n, që ndërtojnë në zonat e mbrojtura dhe që fragmentarizojnë Butrintin”. /VoA