Ukraina po e bën gjithnjë e më të vështirë pozicionin e Rusisë në gadishullin e Krimesë të aneksuar me një fushatë sulmesh ndaj mbrojtjes ajrore, lidhjeve hekurudhore dhe rrugëve ujore.
Goditjet e fundit u dhanë të premten, kur një operacion i marinës dhe ushtrisë ukrainase goditi një vendkalim tragetesh dhe një terminal nafte në portin e Kaukaz në anën ruse të ngushticës Kerch, që ndan Krimenë nga Rusia.Ura në ngushticën Kerch u dëmtua ndjeshëm pas një sërë sulmesh ukrainase në 2022 dhe 2023, gjë që e bëri të paaftë për të përballuar trafikun intensiv të trenave. Kjo do të thotë se Rusia nuk mund ta përdorë për logjistikën ushtarake si transportimi i automjeteve të blinduara të rënda, tha zëdhënësi i marinës ukrainase Dmytro Pletenchuk për Politico me seli në Bruksel.
Kjo e detyron Rusinë të mbështetet në lidhjet rrugore dhe hekurudhore në të gjithë Ukrainën e pushtuar, gjë që i vendos trenat dhe kamionët brenda rrezes së armëve ukrainase.
Ky sulm është faza e fundit e operacionit kompleks të Ukrainës, i cili synon ta bëjë të paqëndrueshëm kontrollin rus mbi Krimenë. Përveç shënjestrimit të logjistikës, ukrainasit përdorën drone detare dhe raketa bregdetare për të shkatërruar ose dëmtuar të paktën 27 anije luftarake ruse dhe një nëndetëse. Kievi gjithashtu sulmoi fushat ajrore dhe bazat detare ruse duke e detyruar Moskën të lëvizë flotën e saj në lindje përgjatë bregut të Detit të Zi në portin rus Novorossiysk.
Mbrojtja kundërajrore e gadishullit është dëmtuar gjithashtu nga sulmet e vazhdueshme.
Ukrainasit goditën Krasnodarin e Rusisë në orët e para të mëngjesit të së premtes me dronë të prodhimit vendas dhe raketa Neptun me rreze të gjatë veprimi. Raketat ATACMS të prodhuara nga SHBA janë përdorur në sulmin në anën e Krimesë të ngushticës, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.
Kjo është në përputhje me rregullat e Uashingtonit që armët amerikane mund të përdoren për të sulmuar territorin rus në zonën në veri të Kharkiv.
Pletenchuk thotë se Rusia mbylli linjën e tragetit dhe urën Kerch të enjten, duke detyruar civilët dhe ushtrinë të përdorin një rrugë përmes territoreve jugore të okupuara të Ukrainës për të arritur në Rusi.
"Kjo duhet t'u tregojë pushtuesve, të cilët janë shpërngulur ilegalisht në Krimenë tonë në 10 vjetët e fundit, se kanë gjithnjë e më pak mundësi për t'u larguar nga gadishulli. Tani ata mund të largohen nga Krimea ukrainase, sepse më vonë do të jetë e pamundur", tha Pletenchuk.