Ukraina i ka rrëzuar 21 prej 22 dronëve me të cilët Rusia e sulmoi gjatë natës, njoftoi Forca Ajrore të enjten.
Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan dronët mbi rajonet e Ukrainës veriore dhe qendrore, thuhet në njoftim. Guvernatori i rajonit verior Çernihiv tha se njëri prej dronëve e goditi një ndërtesë në rajonin e tij, por nuk dha hollësi të tjera.
Rusia është duke i vazhduar sulmet me raketa dhe me dronë mbi rajone të ndryshme ukrainase. Të mërkurën, së paku pesë persona u vranë dhe 34 të tjerë u plagosën nga një sulm i ushtrisë ruse me dronë dhe raketa në qytetin Dnjepër të Ukrainës.
Pas atij sulmi, Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, i cili i bëri thirrje Perëndimit për ndihmë ajrore.
“Bota mund të mbrojë jetë, për këtë nevojitet vendosmëria e liderëve. Vendosmëria duhet ta bëjë përsëri normë mbrojtjen nga terrori”, shtoi ai.
Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.