Raketat ruse dhe raketat lundruese shpesh përbëhen edhe nga pjesë të Gjermanisë dhe vendeve tjera perëndimore, pavarësisht vendosjes së sanksioneve, ka thënë Vladyslav Vlasiuk, komisionar për sanksione në zyrën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Çdo ditë në vendin tonë, njerëzit vriten nga predhat”, ka thënë Vlasiuk për të përditshmen gjermane, Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung.
Sipas Ukrainës, diçka e tillë ndodh sepse sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë shmangen përmes shteteve tjera.
Vlasiuk veçse i ka njoftuar ambasadorët e Perëndimit në Kiev lidhur me këtë çështje, ka raportuar gazeta gjermane.
Pjesët gjermane dyshohet të jenë përdorur në raketat lundruese Kh-101 dhe variantet 9M728 dhe 9M729 të raketave lundruese Iskander.
Edhe raketat hipersonike ruse Kh-47M2 Kinschal besohet se kanë pjesë gjermane.
Eksportet besohet të jenë kryer përmes rrugëve në Kinë, Azinë Qendrore, Kaukaz dhe Turqi.
Sipas raportit, disa kompani mund edhe të mos e kenë ditur se ku po shkojnë produktet e tyre.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.