Si shtet jo anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shanset për t’iu bashkuar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ishin të vogla. Pa financa e me plot sfida, ajo që njihet si “ombrella” e sporteve vendore, e arriti synimin e saj dhe sivjet shënoi një dekadë brenda këtij institucioni ndërkombëtar.
Deri tek anëtarësimi, që ishte njëri nga lajmet më të rëndësishme për sportin e Kosovës, ishin bërë përpjekje të mëdha që nga vitet e para të pasluftës në Kosovë e deri në vitin 2014.
“Pas luftës [në Kosovë] krejt rrjedhshëm shtohen apetitet tona që të kemi edhe aktivitete tjera dhe njohje të tjera, dhe këtu bëhet një intensifikim. Fillon bashkëpunimi me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, nëse mund ta quaj, sepse më shumë ka qenë i njëanshëm por nuk është që nuk na janë përgjigjur, ata na janë përgjigjur në këto ftesat tona për bashkëpunim, komunikim e takime dhe në bashkëpunim së pari me Bordin Ekzekutiv dhe pastaj me krerët e federatave, e kemi bërë një strategji në vitin 2003 e cila u përpilua së bashku edhe me Ligjin për sport dhe nga atëherë kemi qenë shumë proaktiv”, thotë Hasani.
Ai tregon se lobimi për anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar vështirësohej edhe më shumë për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.Por, përkundër të gjitha pengesave, lajmi i madh erdhi ne tetorin e vitit 2014.
Sot, një dekadë pas, Kosova ka fituar të drejtën për organizimin e një ngjarjeje të madhe sportive siç janë Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.