Mihajlo Podoljak, ndihmës i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, foli sonte për zhvillimet në Rusi, duke pohuar se Ukraina nuk kishte asnjë lidhje me sulmin pranë Moskës. "Le të jemi të qartë, Ukraina nuk ka absolutisht asnjë lidhje me këto ngjarje," tha Podoljak.
Më herët, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse tha se SHBA duhet të ndajë çfarëdo informacioni që kishte nëse e dinte me siguri se Ukraina nuk ishte e përfshirë. “Në çfarë baze zyrtarët në Uashington nxjerrin ndonjë përfundim për pafajësinë e dikujt në mes të një tragjedie?”, tha Maria Zakharova duke iu referuar deklarimeve të Shtëpisë së Bardhë, sipas së cilës nuk ka indikacione se Ukraina apo ukrainasit janë të përfshirë në sulm.
Disa persona hapën zjarr me armë automatike mbi civilët në hollin e sallës. Në vendngjarje kanë mbërritur 50 autoambulanca dhe forca speciale të Gardës Kombëtare. Siç raporton BBC, forcat speciale hynë në sallën e koncerteve, e cila ende po digjet. Një pjesë e çatisë po shembet dhe po qarkullojnë informacione se ka ende persona të bllokuar brenda. Yulia Navalnaya, e veja e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, shprehu ngushëllimet e saj për viktimat e sulmit të sotëm, duke e quajtur atë një "makth në Crocus". “Të gjithë të përfshirët në këtë krim duhet të gjenden dhe të sillen para drejtësisë”, shkroi ajo në X. Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin e quajti sulmin një "tragjedi të tmerrshme" dhe Ministria e Jashtme ruse e quajti atë një "sulm të përgjakshëm terrorist". Disa raporte sugjerojnë se të paktën një nga sulmuesit mund të jetë arratisur dhe policia është në kërkim të tij. Situata është kaotike dhe nuk është e qartë se çfarë po ndodh saktësisht. Ajo që është e qartë është se numri i viktimave do të jetë i madh dhe se ky është një sulm tronditës.