Ukraina kërkon anëtarësim urgjent në NATO
Bota
Lexohet për: 2 min.
Arkive
Foto Arkivë
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andriy Sibiha u ka kërkuar kolegëve nga vendet anëtare të NATO-s që t'i bëjnë një ftesë Ukrainës për t'u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore gjatë një takimi në Bruksel javën e ardhshme.

Letra e kryediplomatit ukrainas dërguar NATO-s është një tjetër shtysë e Kievit për të siguruar një ftesë për t'u bashkuar Aleancës, pjesë e një "plani të fitores" për t'i dhënë fund luftës së nisur nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, të përshkruar nga presidenti Volodymyr Zelensky muajin e kaluar.

Ukraina thotë se pranon se nuk mund të bashkohet me NATO-n derisa të përfundojë lufta, por bërja e thirrjes tani do t'i tregonte presidentit rus Vladimir Putin se një nga qëllimet e tij kryesore, parandalimi i Kievit që të bëhet anëtar i NATO-s, është i paarritshëm.

NATO ka njoftuar se Ukraina do t'i bashkohet aleancës dhe është në një rrugë "të pakthyeshme" drejt anëtarësimit, por nuk caktoi një kornizë kohore.

Sibiha në letrën e tij të shkruar në gjuhën angleze, pohoi se kjo është koha e duhur për të bërë thirrjen.

“Besojmë se duhet bërë thirrje në këtë fazë. Kjo do të bëhet një përgjigje adekuate e aleatëve ndaj përshkallëzimit të vazhdueshëm rus të luftës dhe demonstrimi i fundit i kësaj është pjesëmarrja e dhjetëra-mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut dhe përdorimi i Ukrainës si një terren testimi për armë të reja. Unë ju inkurajoj të mbështesni vendimin për të ftuar Ukrainën për t'u bashkuar me Aleancën si një nga rezultatet e takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s më 3 dhe 4 dhjetor 2024," ka thënë ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024