Uji i shiut është i pasigurtë për tu pirë duke përmbajtur kimikate toksike të cilat ndikojnë në shëndetin e njeriut. Ky është studimi më i fundit i Universitetit të Stokholmit, i cili bën me dije se kimikatet e njohura si PFAS shpërbëhen jashtëzakonisht ngadalë.
Shkencëtarët bëjnë me dije se uji i shiut kudo në botë përmban nivele kimikatesh toksike të njohura si PFAS që tejkalojnë udhëzimet e fundit.
Profesori dhe autori kryesor i studimit të botuar në Environmental Science and Technology thotë se askund në Tokë shiu nuk do të ishte i sigurtë për tu pirë në raport me matjet që ata kanë kryer.
Një përmbledhje e të dhënave që nga viti 2010 që ekipi i tij studioi tregoi se "madje edhe në Antarktidë ose rrafshnaltën tibetiane, nivelet në ujërat e shiut janë mbi udhëzimet e ujit të pijshëm që propozoi EPA (Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit) të SHBA-së".
EPA kohët e fundit uli në mënyrë të konsiderueshme udhëzimet e saj pasi zbuloi se kimikatet mund të ndikojnë në përgjigjen imune tek fëmijët ndaj vaksinës.
Pasi gëlltitet, PFAS grumbullohet në trup.