Selmanaj kritikon qeverinë për dialogun: Ka qenë më jo transparenti në histori
Intervista
Lexohet për: 3 min.
Driton Selmanaj
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Driton Selmanaj ka drejtuar kritika në adresë të Qeverisë Kurti për qasje të gabuar në dialogun me Serbinë, duke thënë se ky proces në katër vjetët e fundit ka qenë më jo transparenti në historinë e tij.

Ai duke iu referuar marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thotë se njëjta është e dëmshme për vendin. Përkitazi me këtë ai shton se Qeveria Kurti i ka sjellë vendit një draft-statut të asociacionit, i cili është i papranueshme për Kosovën.

Selmanaj për KosovaPress shprehet pesimist edhe për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.        

“Procesi i dialogut në katër vjetët e fundit ka qenë më jo transparent në krejt historinë e vet të dialogut. Mosgatishmëri për të ardhur për të raportuar, mosgatishmëri për të raportuar në komisione parlamentare, madje mosgatishmëri edhe për të dhënë deklarata publike për një proces delikat dhe kompleks. Në fund, përfunduam me dy marrëveshje, një në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, që të dyja janë ndër marrëveshjet më të dëmshme që Kosova ka pranuar në historinë vet në negociata... Përfshirë edhe një draft-statut, i cili është krejtësisht i papranueshëm për Kosovën dolën si rezultat i këtyre negociatave të dëmshme që ka bërë kryeministri me asistentin e tij që është zëvendëskryeministër i vendit”, tha Selmanaj.

Sipas tij, Kosova, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti ka hyrë në labirinte me shumë të panjohura.

Selmanaj shprehet optimist se LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në fazë kritike pasi palët nuk kanë treguar vullnet për vazhdimin serioz të tij. Procesi është në bllokadë qe nga shtatori 2023 kur ndodhi edhe sulmi terrorist në Banjska.

Pas zgjedhjeve në BE kishte përpjekje për të ringjallur procesin e dialogut, por takimi i thirrur në Bruksel nuk rezultoi në nivel trepalësh.  

Ndërsa masat ndëshkuese mbeten në fuqi qe nga vendosja e tyre në vitin 2023, pas rritjes së tensioneve në veri. BE pati deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për uljen e tensioneve, teksa Prishtina zyrtare vazhdimisht ka kërkuar heqjen e tyre pasi i konsideron të padrejta.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025