UBT zyrtarisht është anëtarësuar në EURASHE (European Association for the Applied Sciences in Higher Education), një nga organizatat më të rëndësishme evropiane që përfaqëson institucionet e arsimit të lartë të orientuara drejt shkencave të aplikuara, inovacionit dhe zhvillimit profesional.
Me këtë anëtarësim, UBT i bashkohet rrjetit evropian të institucioneve të arsimit të lartë, duke forcuar edhe më tej pozicionimin e tij në arenën ndërkombëtare akademike.
“Anëtarësimi i UBT-së në EURASHE është një nder i veçantë për institucionin tonë dhe për Kosovën. Me këtë, UBT përmbush ciklin e anëtarësimeve në organizatat më të rëndësishme që kontribuojnë në politikat, zhvillimin, inovacionin, arsimin dhe kërkimin shkencor në Evropë dhe në botë. Ky është një konfirmim se UBT është një institucion serioz dhe kredibil, ndërsa njëkohësisht krijon mundësi të reja për pjesëmarrje aktive të stafit dhe studentëve tanë në zhvillimin e politikave evropiane, projekteve inovative dhe avancimin e arsimit të lartë”, tha Rektori Hajrizi.
Ai shtoi se UBT, përmes përvojës së tij në inovacion, teknologji dhe aplikime industriale, do të ketë rol aktiv dhe kontribuues në forumet dhe debatet evropiane që lidhen me të ardhmen e arsimit të lartë.