Sot është mbajtur një akademi nderimi dhe mirënjohjeje kushtuar veprimtarit të shquar dhe udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare (OMLK), Mehmet Hajrizi.
Në këtë akademi u tha se Lëvizja Kombëtare u formua nga bashkimi i organizatave atdhetare dhe u vulos me gjakun dëshmorëve Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla.
“Të gjitha lëvizjet pas vendosjes së regjimit ushtarako-policor, një pas një bijë të shumtë shuheshin, por lëvizja që lindi që u brumos, që u krijua në platformë, e cila krijoi vazhdimësinë deri në fillimin e kryengritjes së armatosur së UÇK-së. Këto themele, gurthemeltarë të kësaj lëvizjeje ishin Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, por gurthemeltarë të parë ishin Kadri Zeka e Rexhep Mala, Rafi Halili dhe në vazhdimësi pas rënies së grupit të studentëve, pas rënies së organizatorëve, drejtuesve të protestave 1981, kur të gjithë mendonin se lëvizja jonë s’do të ri-ngrihet, ajo u bë më e fortë me Rexhep Malën që doli nga burgu dhe zuri vendin e organizatorëve të demonstratave të vitit 191, bashkë me Nuhi Berishën, Kadri Osmanin që përsëri me forcë dhe më të fortë e ngritën lëvizjen”, tha Ahmeti.
Bashkëveprimtari, njëherësh deputeti Hydajet Hyseni ka folur për jetën dhe veprimtarinë e Mehmet Hajrizit.
Ndërsa poeti Agim Vinca në fjalën e tij ka evokuar kujtime nga takimi që ai kishte me veprimtarin Mehmet Hajrizi gjatë një mbrëmje letrare në vitin 1990.
“Në fjalën e tij nuk kishte fraza e propagandë, por mesazhe të rëndësishme, të cilat kishin poenta vazhdimin e luftës për liri. Nuk kishte asgjë nga heronjtë pozitivë skematik të romaneve realisto-socialist...”, tha Vinca.
“Të përkushtuar në një kauzë të përbashkët dhe fisnike, ne veprimtarët nuk mund dhe as do të duhej folur për veten në njëjës. Ne ishim shumës dhe rrëfimet janë në shumës gjithashtu. Asnjëri prej nesh nuk do të vlente i pa përplotësuar nga të tjerët, sepse vetë qëllimi ynë kërkonte angazhim kolektiv se trimi është i mirë me shokë shumë. Ora e historisë na thërriste të ishim në krye të detyrës së çështjes kombëtare. Në përgjigje të saj ne plot shend e verë, u hodhëm në ujin e rrëmbyeshëm më shumë nga vrulli rinor sesa nga pjekuria e profesionalizimi, u hodhëm për të mësuar artin e notit revolucion nacional-çlirimtar”, tha Hajrizi.
Në këtë akademi kryetari i shoqatave të familjeve të dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari ka ndarë një mirënjohje për Mehmet Hajrizin për veprimtarinë jetësore dhe luftën për çlirimin e Kosovës.
Ndryshe, në fillim të viteve ’70-të, u formua organizata Grupi Revolucionar i Kosovës. Organizata një vit u udhëhoq nga Kadri Osmani dhe tetë vjet të tjerë, nga Mehmet Hajrizi. Ai u arrestua më 18 dhjetor 1981, ndërsa më 10 korrik 1982, bashkë me një grup veprimtarësh, u dënua me 12 vjet burg. Hajrizi ishte ndër figurat kryesore të delegacionit të Kosovës në konferencën e Rambujes.