Turneu i boksit “Adem Jashari” dhuroi spektakël në Prishtinë
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Është mbajtur edhe këtë vit turneu tradicional, ndërkombëtar i boksit, “Adem Jashari” i cili tash e 25 vite mbledh shtete nga Ballkani dhe Evropa në Prishtinë për të dhënë spektakël në sportin e boksit me luftëra tejet interesante.
Nën organizimin e Federatës së Boksit të Kosovës, edhe kësaj radhe në Kosovë zbarkuan boksierë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Zvicra, Bullgaria e Sllovakia.
Përkundër rivalitetit të madh, boksieri më i mirë i turneut u shpall kosovari Shpëtim Bajoku, i cili mposhti boksierin nga Bullgaria Rumen Rumenov në kategorinë deri në 67 kilogramë. Ai pasi mori çmimin, tha për KosovaPress se nuk e kishte aspak të lehtë luftën ndaj kundërshtarit të tij.
I pranishëm në këtë turne ishte edhe Presidenti i Federatës Evropiane të boksit, Ioannis Filipattos, për të cilin, Sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli tha se u nda tejet i kënaqur me nivelin e boksit të shfaqur në këtë turne
Nga edicioni i ardhshëm, Demolli zbuloi se në këtë turne do të ketë edhe duele të boksit ndërmjet vajzave.
Boksieri më perspektiv i turneut u shpall Useid Nika nga Shqipëria. Boksieri më i mirë i huaj Alim Nasufi nga Maqedonia e Veriut, kurse tekniku më i mirë u shpall Erik Katona nga Sllovakia.