Pesë raste me tuberkulozë janë hospitalizuar dhe po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). 241 pacientë kërkuan shërim për këtë sëmundje vitin që lamë pas. Kështu duke shënuar rritje të të prekurve krahasuar me vitin 2023. Ani pse nuk ka statistika zyrtare, nga Klinika e Pulmologjisë në QKUK thonë se rreth 600 pacientë në tërë Kosovën janë regjistruar me tuberkulozë.
Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha në një intervistë për KosovaPress thotë se shkalla e të infektuarve është rreth 30 raste të reja në 100 mijë banorë në vendin tonë.
Ai thekson se për dallim nga vitet e më hershme, tuberkuloza po “stacionohet” më shpesh tek moshat e mesme dhe të shtyra.
Përveç këtyre, në intervistën për KosovaPress, drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha tregon se numri i kërkesave për hospitalizim është më i madh sesa kapacitet që ka kjo klinikë.Sa i përket barnave esenciale, Hoxha shprehet se janë mirë të furnizuar.
Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike, që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit, ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose të gëlbazës, kur personi i infektuar flet, teshtin ose kollitet.